Pashka

Mesazh i festës së Pashkës

Publikuar nga Valdet Zogaj

RINGJALLJA ËSHTË FUQI, TRIUMF DHE BESË PERËNDIE

Të nderuar pastorë, pleq dhe shërbenjës të ungjillit nëpër kishat e vendit tonë,
Të nderuar vëllezër dhe motra në Krishtin Jezus,
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës

Kjo Pashkë e gjen botën si asnjëherë më parë për shkak të virusit korona. Sipas mediave infektimet po i afrohen 2 milionë vetave dhe numri i të vdekurve është me mijëra por ka edhe lajme të mira se numri i të shëruarve po rritet dhe numri i të infektuarve në shumicën e vendeve europiane është duke rënë. Edhe disa kohë dhe kjo sfidë do të kalojë e njerëzimi do t’i kthehet rutinës së tij ngadalë edhe pse do të ketë ndryshime të mëdha në botë pas kësaj pandemie.

Ajo që e ka karakterizuar gati gjithë njerëzit që nga lindja e largët e deri në perëndim ka qenë izolimi dhe frika. Izolimi ishte masë e mospërhapjes së virusit, kurse frika lidhet sepse njeriu ka frikë vdekjen. Në anën tjetër Pashka lidhet pikërisht me gatishmërinë e një të riu, 33 vjet, i cili erdhi nga Qielli para 2000 vitesh për të vdekur për botën duke i ofruar shpëtimin. Ai u mbërthye në kryq për drejtësinë e Perëndisë.

Qytetarë të nderuar, ashtu sikurse virusi është i padukshëm, dhe pahetueshëm futet në trupat tonë, dhe po kaq lehtë bartet tek të tjerët, dhe kaq pasoja globale po shohim. Diçka tjetër e më vdekjeprurëse është në jetët tona. Është bartur në jetët tona. Është i padukshëm. Ky është mëkati ynë. Është ky mëkati ynë për çfarë erdhi Birin e Perëndisë si Qengji që shlyen dhe pastron.

Thelbi i krishterimit është ringjallja e Krishtit. Pashka është Ringjallja e Jezusit. Kryqëzimi, vdekja, varrimi dhe ringjallja e Krishtit ndodhën gjatë festës së Pashkës. Ringjallja është fakti dhe mesazhi shumë më i madh sesa të ikësh nga vdekja përkohësisht. Prandaj si njerëz që kemi përjetuar dashurinë, pajtimin dhe faljen e Perëndisë predikojmë varrin bosh, sepse u mund vdekja nga Krishti. Kjo është shpresa jonë ku marrim fuqi vazhdimisht.

Gjithë kjo është fuqi, triumf dhe besë Perëndie e përmbushur me Ringjalljen e Jezusit!

Për shumë mot Pashka – Ringjallja e Krishtit gjithë komunitetit tonë protestant dhe gjithë të krishterëve shqiptarë kudo që të janë dhe të gjithë të krishterëve tjerë e posaçërisht ndërkombëtarëve që gjenden në Kosovë.

Pastor Femi Cakolli, kryetar
9 prill 2020 Prishtinë 

Leave a Comment